Në Konferencën përmbyllëse të projektit SELEA me temë “Një tjetër hap më pranë standarteve të BE-së për mjedisin”, të mbajtur sot në Tiranë, Z. Julian Beqiri, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, përshëndeti duke falenderuar projektin për bashkëpunimin me AKM-në, bashkëpunim i cili ka qënë shumë dimensional dhe ka ardhur duke u intensifikuar gjithnjë e më shumë. Kjo edhe si rezultat i nevojës së implementimit të mirë të bazës ligjore të lidhur direkt apo indirekt me funksionin e AKM-së në perputhje të plotë me detyrat e funksionet e saj të përcaktuara edhe në ligjin e ri ‘Për mbrojtjen e Mjedisit’ Nr. 10341 hartuar gjithashtu me mbështetjen e plotë të SELEA-s.
Gjatë fjalimit të tij, Z. Beqiri u ndal duke përmendur disa nga pikat e bashkëpunimit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit me projektin SELEA.
Z. Beqiri falenderoi projektin për mbështetjen e ofruar në drejtim të ngritjes dhe forcimit të kapaciteteve logjistike, infrastrukturore dhe monitoruese të AKM-së. Selea me mbështetjen e saj konsultuese dhe financiare ka ndikuar në realizimin me sukses të disa sfidave, madje ‘shumë të vështira’ po të marim parasysh edhe vështirësitë financiare dhe kufizimet buxhetore që AKM ka pasur vitet e fundit.
Në Konferencë ishin të pranishëm Z. Lefter Koka, Ministër i Mjedisit, Z. Clive Rumbold, Kreu i Përkohshëm i Delegacionit të BE-së në Shqipëri si dhe përfaqësues të projektit SELEA.