Agjencia Kombëtare e Mjedisit prezantoi sot të dhënat mbi monitorimin e cilësisë së ajrit urban për periudhën Janar-Shtator 2014. Monitorimi vjen për herë të parë për 9 qytete kundrejt 4 qyteteve që monitoroheshin në vitin 2013.
Për herë të parë Tirana monitorohet në 2 pika të reja me trafik të rënduar; në Rrugën e Durrësit dhe tek Stacioni pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Përvec Tiranës, në monitorim janë përfshirë qytete:Durrës, Berat, Korcë, Elbasan, Fier, Vlorë, Shkodër dhe në Kukës.
Bazuar në rezultatet e këtij monitorimi Agjencia Kombëtare e Mjedisit vëren se impakti që trafiku ka në cilësinë e ajrit urban është thelbësor. Monitorimi i dy stacioneve të reja në zonat me trafik të rënduar në Tiranë tregon se të dhënat e PM10 dhe NO2 janë mbi normën e përcaktuar nga BE-ja si rezultat i shkarkimeve të automjeteve dhe infrastrukturës.
Gjithashtu impakti i trafikut shprehet shumë mirë në monitorimin e datës 21 shtator 2014 ku nivelet e ndotësve bien gjatë orëve të ndalimit të trafikut. Deri në orën 17.00 ku kishte ndalim trafiku niveli i NO2 (dioksid azoti) ishte 5 mikrogram për metër kub dhe në orën 19.00 niveli arriti 30 mikrogram për metër kub, pra është 6 -fishuar. E njëjta situatë vlen edhe për parametrat e tjerë, monoksidi i karbonit dhe benzeni.
Në vijim Agjencia Kombëtare e Mjedisit njofton se ka përgatitur Programin Kombëtar të Monitorimit të cilësisë së ajrit urban për vitin 2015 sipas të cilit do të monitorohet ajri urban në 14 qytete në vend. Kjo është një risi pasi krahasuar me vitin 2013 monitoroheshin vetëm 4 qytete ndërsa ky monitorim ofron të dhëna për 9 qytete për këtë vit.
Standarti i ri i krijuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit është krahasimi i parametrave të monituar me standartin europian. Për herë të parë këto të dhëna bëhen publike në kohë reale brenda këtij viti.