Ministri i Mjedisit Lefter Koka inauguroi sot laboratorin dhe ambjentet e rikonstruktuara të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Ministri Koka së bashku me deputetët Eduard Shalsi, Besnik Bare. Përparim Spahiu dhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, inspektuan aparaturat e reja, një pjesë e të cilave të financuara në kuadër të projektit SELEA. Specialistët e kualifikuar treguan kapacitetet e laboratorit dhe demostruan analizat fiziko-kimike të ujit nga lumi Erzen.
Pasi vizitoi laboratorin statik dhe të lëvizshëm, Ministri i Mjedisit deklaroi për mediat se
Agjencia Kombëtare e Mjedisit është një nga projektet më të rëndësishme të Ministrisë së Mjedisit. “Deri tani kemi folur pa shifra të sakta për nivelin e ndotjes në vend, por tashmë kjo agjenci do të sigurojë monitorimin e ndotjes sipas standarteve europiane. Ne synojmë që të reduktojmë ndotjen në zonat urbane me 30 për qind” tha ministri Koka gjatë një deklarate për mediat.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Eduart Shalsi pasi uroi Ministrinë e Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për këtë investim të nivelit europian u shpreh:”Mjedisi nuk është vetëm një sfidë e Ministrisë së Mjedisit, por e të gjitha institucioneve, e të gjithëve ne. Eshtë sfida jonë e përbashkët”.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) ka aktualisht 7 laboratorë për monitorimin e cilësisë së ajrit urban. 5 prej tyre janë vendosur në Shkodër, Korcë, Vlorë, Elbasan dhe Durres, ndërsa 2 laboratore, njëri nga të cilët i lëvizshëm, janë në Tiranë.
Në laboratorin e monitorimit të cilësisë së ujërave sipërfaqësore, lumenjve, liqeneve dhe zonave bregdetare janë aparatura të reja të dhuruara në kuadrin e projektit Selea.
Në eficencë të plotë është vënë edhe stacioni i lëvizshëm i monitorimit të cilësisë së ajrit.
Laboratori AKM-së operon mbi manualin e cilësisë ISO 17025 dhe është i akredituar për shtatë parametrat bazë për monitorimin e cilësisë së ujrave.